Errët
Ndritshëm

“Sulm me shishe”, tollovi në Komunën e Prishtinës mes Fehmi Kupinës dhe Sami Salihut

24.09.2025

Një telashe mes kryetarit të Kuvendit Komunal, Fehmi Kupinës, e asamblistit të LDK-së, Sami Salhiut, ka ndodhur në ambientet e Komunës së Prishtinës të mërkurën.

Fillimisht është raportuar për sulm fizik ndaj kryesuesit të Kuvendit, Fehmi Kupina, por asamblistja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fiknete Bejta, ka thënë se bëhet fjalë për një sulm ndaj asamblistit të kësaj partie, Sami Salihu.

Ajo ka akuzuar se janë të përfshirë edhe familjarë të Kupinës në sulmin ndaj asambleistit.

“Ky sulm, i kryer nga djali dhe persona të afërt me kryesuesin e Kuvendit, z. Fehmi Kupina, është jo vetëm një dhunë e paprecedentë ndaj një përfaqësuesi të qytetarëve, por edhe një goditje e rëndë ndaj demokracisë, institucioneve dhe dinjitetit të Kuvendit të Kryeqytetit”, ka shkruar ajo në Facebook.

Shënjester ka provuar të kontaktojë me Kupinë dhe Salihun, por asnjëri nuk është lajmëruar në thirrjet telefonike dhe mesazhet.

Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar tre persona.

“Sot rreth orës 10:30 është pranuar informata për një rrahje në rrugën ‘UÇK’ në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka arritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar 3 persona, të cilët ishin përfshirë në rast. Aktualisht policia po vazhdon punën për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Errët
Ndritshëm