Errët
Ndritshëm

Kurti: Beteja e Banjskës, fitore e Policisë

24.09.2025

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në përvjetorin e dytë të rënies së Afrim Bunjakut nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lart heroizmin dhe përkushtimin e tij për mbrojtjen e vendit.

Kurti tha se Afrim Bunjaku tashmë i përket Republikës së Kosovës, ndërsa gjithë populli do ta mbajë përjetësisht në zemrat e veta. Ai foli për guximin e dyfishtë të rreshterit Bunjaku: së pari si polic me përvojë që ndërhyri në bllokadën e vendosur në Banjskë, dhe së dyti si njeri që sakrifikoi jetën për të mbrojtur kolegët e tij.

“Afrim Bunjaku ishte 22 vjet polic dhe 16 vjet rreshter. Tash ai e ka gradën e ‘Heroit të Kosovës’, një gradë që nuk mund t’i merret kurrë, as atij e as të tjerëve që e mbajnë atë, sikur zyrtari tjetër policor i rënë në korrik të vitit 2011, Enver Zymeri”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë përmendi edhe guximin e policëve të tjerë, si Alban Rashiti që mbeti i plagosur në Banjskë, dhe Mirsad Kryeziu i cili, nën breshërinë e plumbave, arriti të nxjerrë trupin e Bunjakut.

“Një tjetër aspekt i guximit të tij ishte fakti që nuk lejoi policët e rinj të përballeshin me bllokadën e vendosur nga kamionët e grupit terrorist, paramilitar serb të udhëhequr nga Milan Radoiçiq. Si polic me përvojë, ai nuk i la të rinjtë të sakrifikoheshin para tij”, shtoi Kurti.

Ai kërkoi nga faktori ndërkombëtar të mos e konsiderojë Serbinë si shtet normal derisa ajo të mos dorëzojë kriminelët e përfshirë në sulmin e Banjskës.

“Aktakuza përfshin 45 persona. Ata duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ku ka aktakuzë dhe fakte të shumta që i lidhin me vrasjen e Afrim Bunjakut dhe me sulmin terrorist e agresor në Banjskë, të organizuar e financuar nga Beogradi zyrtar dhe presidenti Aleksandar Vuçiq”, tha Kurti.

Në fund, ai theksoi se beteja e Banjskës ishte një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për qytetarët e saj.

Errët
Ndritshëm