Errët
Ndritshëm

FIFA dhe CONMEBOL diskutojnë zgjerimin e Kupës së Botës 2030 në 64 ekipe

24.09.2025
Be02347cb9a89f46e6c8c3606344977562e9db7bde267

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, është takuar së fundmi me drejtuesit e CONMEBOL dhe përfaqësuesit e federatave të futbollit të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait për të shqyrtuar mundësinë e zgjerimit të Kupës së Botës 2030 në 64 ekipe, raporton ESPN.

Presidenti i CONMEBOL-it, Alejandro Dominguez, është shprehur se ky ndryshim do të garantonte pjesëmarrjen e të gjitha 10 vendeve të Amerikës së Jugut, përfshirë edhe Venezuelën, kombëtaren e vetme të rajonit që nuk ka marrë pjesë kurrë në një Botëror.

Ne besojmë në një Kupë Bote historike 2030! Faleminderit, President Gianni Infantino, që na mirëpritët dhe na u bashkuat në këtë udhëtim drejt 100-vjetorit të festës më të madhe të futbollit. Ne bëjmë thirrje për unitet, kreativitet dhe besim në të jashtëzakonshmen”, shkroi Dominguez në rrjetet sociale.

Edhe Claudio Tapia, president i Federatës së Futbollit të Argjentinës, mbështeti idenë duke theksuar:

Ne jemi një familje dhe kemi bërë gjithçka që është e mundur për ta bërë realitet vizionin tonë të përbashkët.

Megjithatë, jo të gjithë janë dakord me këtë plan. Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, e ka quajtur idenë “të pamatur”, ndërsa kritikët paralajmërojnë se një format i zgjeruar mund të ulë cilësinë e garës dhe të zbehë rëndësinë e ndeshjeve kualifikuese.

Pavarësisht debatit, Botërori 2030 është tashmë i destinuar të hyjë në histori si më i madhi ndonjëherë. Ai do të mbahet në gjashtë vende dhe tre kontinente: Uruguai, Paraguai, Argjentina, Spanja, Portugalia dhe Maroku duke shënuar 100-vjetorin e turneut që nisi në Montevideo më 1930.

Errët
Ndritshëm