Errët
Ndritshëm

Kurti për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Duhet ta përcjellim procesin pa vlerësime politike

22.09.2025

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka arritur ta përcjellë vetëm pjesërisht dëshminë e ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai theksoi se ky proces duhet të ndiqet deri në fund, pa ndërhyrje e pa vlerësime politike.

“E kam përcjellë pjesërisht, me aq sa kam arritur për shkak të angazhimeve dhe aktiviteteve të shumta. Mbrojtja është përcaktuar për një orientim të veçantë”, tha Kurti në një prononcim për T7.

Ai shtoi se roli i institucioneve të Kosovës është i kufizuar, por përkujtoi se Qeveria ka dhënë mbështetje financiare të vazhdueshme për procesin.

“Ne kemi dhënë mbështetje financiare në mënyrë të pandërprerë dhe shpresojmë për më të mirën”, theksoi ai.
Kryeministri në detyrë përsëriti se qëndrimi i tij për Gjykatën Speciale ka qenë i pandryshuar që nga fillimi.

I pyetur për përmendjen e Adem Demaçit në gjyq si figurë kyçe e UÇK-së, Kurti tha se nuk dëshiron të komentojë dhe se procesi duhet të ndiqet deri në fund.

“Unë besoj që duhet të presim ecjen e këtij procesi pa dhënë ne vlerësime politike. Edhe njëherë po e theksoj që qëndrimi im për Gjykatën Speciale nuk ka ndryshuar asnjëherë”, tha ai.

Errët
Ndritshëm