Portugalia i është bashkuar Australisë, Kanadasë, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar pas njoftimit se do të njohë Shtetin e Palestinës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë njoftoi të premten se njohja do të bëhet të dielën, një ditë para një konference të nivelit të lartë mbi shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se Portugalia do ta njohë Shtetin e Palestinës,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Njoftimi vjen pak ditë pasi një hetim historik i OKB-së zbuloi se lufta e Izraelit në Gaza përbën një gjenocid.
Më herët, një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron njoftoi se edhe Andorra, Australia, Belgjika, Luksemburgu, Malta dhe San Marino planifikojnë të njohin Palestinën, së bashku me Francën, në takimin e nivelit të lartë të hënën me Arabinë Saudite në New York.
Kanadaja dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bërë të ditur gjithashtu planet për njohjen e shtetit palestinez.
Këto shtete do t’u bashkohen rreth 147 vendeve, që përfaqësojnë 75% të anëtarëve të OKB-së dhe që tashmë e kishin njohur Palestinën që nga prilli i këtij viti, sipas Al Jazeera.
Portugalia ishte gjithashtu midis 145 vendeve që votuan të premten për të mundësuar Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas të flasë nga distanca në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e ardhshme, pasi Shtetet e Bashkuara ia mohuan vizën.