Dëshmitari i mbrojtjes së Hashim Thaçit, Paul Williams, ka përfunduar dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në Hagë ku ka folur për negociatat e Rambujesë, marrëdhëniet me UÇK-në, rolin e FARK-ut dhe angazhimet e figurave politike e ushtarake gjatë viteve 1998–1999, përfshirë Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin, Bujar Bukoshin, Hashim Thaçin dhe Veton Surroin.
Williams ka deklaruar se gjatë vitit 1998 Bujar Bukoshi kishte synuar të krijonte Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, të njohura si FARK, dhe se kjo ishte pjesë e tensioneve politike me UÇK-në.
“Unë di që Bukoshi përpiqej të krijonte një FARK, bazuar fillimisht në Shqipëri dhe të përbërë nga oficerë shqiptarë ose ish-oficerë që kishin shërbyer në ushtrinë e Jugosllavisë. Bukoshi nuk më ka kërkuar kurrë konkretisht këshillë për këtë, por në bisedat e mia me të dhe me diasporën shqiptaro-amerikane kjo ishte temë e vazhdueshme. Ishte pjesë e tensionit të thellë dhe një ndërmarrje e re e LDK-së për të krijuar një krah të armatosur”, ka thënë Williams.
Sipas dëshmitarit Williams, Bujar Bukoshi kishte shprehur hezitim për të ofruar ndihmë financiare për UÇK-në.
“Po, Bujar Bukoshi hezitonte të ofronte ndihmë financiare për UÇK-në. Burimet që kishte mbledhur diaspora ishin të kushtëzuara. Ishin mbledhur për të financuar sistemin arsimor paralel që funksiononte në Kosovë dhe për të financuar kujdesin shëndetësor”, tha Williams në deklaratën e tij para Gjykatës.
I pyetur nëse FARK-u kishte për qëllim të merrte kontrollin mbi UÇK-në, ai ka sqaruar se me sa i kujtohet FARK-u ishte menduar të bëhej një aktor tjetër i armatosur jo-shtetëror që do të luftonte në emër të popullit të Kosovës dhe se përbërja e tij nga oficerë profesionistë të ushtrisë shtetërore mund ta bënte më efikas duke e vënë UÇK-në në një pozitë më të dobët.
Paul Williams, i cili gjatë luftës ishte këshilltar juridik i delegacionit kosovar në Rambuje, e nisi dëshminë më 17 shtator 2025 dhe e përfundoi sot.
Trupi gjykues ka njoftuar se dëshmitari i tretë do të fillojë të japë dëshminë të hënën më 22 shtator 2025.