Policia e Kosovës ka gjetur sërish pajisje ushtarake në veri të vendit.
Të enjtën, rreth orës 09:45, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Zveçan, gjatë kontrollit të një rimorkioje, ka zbuluar dy thasë me uniforma, antiplumbë, karikatorë me municion dhe mjete të tjera ushtarake.
Nga vendi i ngjarjes janë konfiskuar uniforma ushtarake kamufluese, pesë karikatorë me gjithsej 132 fishekë të AK-47, pesë fatrolla për mbajtje të karikatorëve në gjoks, disa pantallona dhe xhaketa ushtarake, fotrolla të radiolidhjeve, një antiplumb, rripa ushtarakë, si dhe pajisje të tjera taktike, përfshirë një jelek, një çantë, një helmetë, një kapelë dhe një dritë rrotative.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Policia ka bërë të ditur se nuk ka persona të arrestuar lidhur me këtë rast, por dyshohet se pajisjet i përkasin një personi që tashmë është në kërkim për rastin “Banjska”.