Errët
Ndritshëm

Rubin: Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është drejtësi

16.09.2025

Ish-diplomati amerikan, James Rubin, ka deklaruar para Prokurorisë së Gjykatës Speciale se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk përfaqëson drejtësi.

Ai ka shprehur shqetësim për faktin që të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për pesë vjet, pavarësisht gatishmërisë së tyre për t’u paraqitur në gjykatë.

“Fakti që i akuzuari ka qenë në burg për pesë vjet, pasi vetë ofroi të paraqitej në gjykatë, në një kohë kur ishte duke negociuar një marrëveshje paqeje me udhëheqësin serb, më shqetësoi”, tha Rubin gjatë ditës së dytë të dëshmisë së tij si dëshmitar i mbrojtjes.

Sipas tij, ndërhyrja e politikës në procesin gjyqësor e bën të dyshimtë gjithë procedurën:

“Pse duhej të ishte në burg për pesë vjet para se të fillonte gjyqi? Kjo nuk është sundim i ligjit. Më dukej sikur po bëhej fajësim kolektiv, vetëm pse ai ishte udhëheqësi i UÇK-së”, u shpreh Rubin.

Ai theksoi se nga përvoja e tij kishte një pasqyrë unike mbi strukturën e udhëheqësisë së UÇK-së, dhe sipas tij, mënyra si po trajtohen ish-krerët e saj është e padrejtë.

“Nuk jam avokat, por mendoj se kam të drejtë të kem opinionin tim. Dhe opinioni im është se kjo nuk është drejtësi”, përfundoi Rubin.

Errët
Ndritshëm