Robert Lewandowski, bomber i madh i Barcelonës, ka zbuluar sekretet e tij në dhomën e zhveshjes dhe raportin me gjeneratën e re, me një sy të veçantë te fenomeni 16-vjeçar, Lamine Yamal.
“Unë vij nga një epokë tjetër,” tha Lewa për TMW, duke cituar The Times. “Dikur motivimi vinte nga bërtitjet. Sot është ndryshe: nëse e ngre zërin, ata nuk reagojnë njësoj. Këtyre djemve duhet t’ua shpjegosh gjërat, të flasësh me ta, të hysh në mendjen e tyre. Bisedat janë thelbësore. Nuk u pëlqen t’u bërtasin.”
Sulmuesi polak pranoi se ka qenë sfidë të përshtatet me këtë realitet, por theksoi se është detyrë e liderëve të grupit të gjejnë mënyrën për të nxjerrë më të mirën nga brezi i ri.
Momenti kur Lewandowski pa për herë të parë Yamal mbetet i gjallë:
“Lamine ishte 15 vjeç. Po stërvitnim disa djem në fund të sezonit. Ai luajti kundër një mbrojtësi me përvojë dhe e dominoi lehtësisht. Nuk kam parë kurrë një talent të tillë në atë moshë.”
Megjithatë, Lewa lëshon edhe një paralajmërim: “Pengesa më e madhe për të është të mbajë të njëjtën dëshirë për tre, katër vite. Është e vështirë të imagjinosh një karrierë prej 20 vitesh kur debuton në elitë në moshën 16 vjeç.”
Fjalët e Lewandowskit janë një pasqyrë e qartë e ndryshimit të futbollit modern: nga disiplinat e hekurt, tek kultura e dialogut; nga liderët që komandonin me zë, tek ata që udhëheqin me shembull. Dhe në qendër të kësaj transformate, një adoleshent i quajtur Lamine Yamal, i cili po ngjitet si një kometë në futbollin botëror.
Në një Barça që kërkon rikthimin në majë, Yamal është shpresa, dhe Lewandowski është mentori që e sheh me sy kritik, por edhe me admirim.