Errët
Ndritshëm

Diplomati amerikan: Thaçi s’mund të hiqte dorë nga pavarësia

15.09.2025

James Rubin, ish-ndihmëssekretar i Shtetit i SHBA-së gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka dëshmuar në Gjykatën Speciale si dëshmitar i mbrojtjes në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ai ka treguar se Hashim Thaçi, si udhëheqës i delegacionit shqiptar në Rambuje, i kishte thënë se nuk mund të pranonte marrëveshjen, për shkak se ajo nuk përmbante një referencë të qartë për pavarësinë.

“Thaçi na tha që nuk mund të thoshte po pa pasur një deklaratë specifike për pavarësinë, sepse duhej të diskutonte me komandantët e UÇK-së. Personat që kërkonin pavarësinë ishin maksimalistë, donin gjithçka. Ne përpiqeshim të gjenim një mes të artë, që të mos thoshim as po, as jo për pavarësinë,” tha Rubin.

Ai kujtoi edhe momentet e tensionuara kur sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte paralajmëruar Thaçin për pasojat që do të kishte nëse refuzonte marrëveshjen.

“Albright i tha se nëse nuk pranonte, nuk do ta kishte përkrahjen e Perëndimit dhe do ta rrezikonte miqësinë me të dhe me mua. Thaçi ishte i përlotur dhe i shqetësuar, por u përgjigj se nuk mund ta pranonte marrëveshjen pa pavarësi.”

Sipas Rubin, Thaçi nuk kishte autoritet të plotë për të vendosur.

“Ai ishte thjesht personi që komunikonte me ne, me një rol politik, por jo një rol udhëheqës. Nuk kishte kompetenca, nuk kishte autoritet. Vendimet i merrnin komandantët dhe financuesit e UÇK-së.”

Rubin shtoi se gjatë bisedave, Thaçi e kishte bërë të qartë se po ta pranonte marrëveshjen pa pavarësi, do të konsiderohej tradhtar nga komandantët dhe mbështetësit e UÇK-së.

“Ne ofruam një zgjidhje që të shprehej vullneti i popullit pa e përmendur qartë fjalën pavarësi. Por ai na tha: nëse nuk e përdor fjalën pavarësi, atëherë më konsiderojnë tradhtar,” dëshmoi Rubin.

Errët
Ndritshëm