Amir Rrahmani ngriti “alarmin” në ndeshjen ndaj Zvicrës.
Kapiteni i Kosovës dhe mbrojtësi i hekurt i Napolit ndali hapin në mes të betejës, i detyruar të linte fushën për shkak të një shqetësimi muskulor. Dyshimet ishin të mëdha, frika edhe më e madhe. Por fjalët e mjekut të Napolit, Raffaele Canonico, kanë sjellë lehtësim në kampin napolitan dhe tek Dardanët.
Në një intervistë për Radio CRC, Canonico e shpjegoi me qetësi situatën:
“Rrahmani pësoi një dëmtim të lehtë, një këputje të vogël të muskulit të kofshës. Ka nisur rehabilitimin dhe gjithçka po ecën si duhet. Lëndime të tilla zakonisht kërkojnë nga 2 deri në 10-12 javë rikuperim, por në rastin e tij bëhet fjalë për një dëmtim minimal. Do të humbasë vetëm disa ndeshje.”
Canonico konfirmoi se Rrahmani nuk do të jetë i gatshëm për përplasjet me Fiorentinën dhe Manchester Cityn në Champions League, por sinjalet janë se mund të jetë i disponueshëm ndaj Pizës.
“Pas ndeshjes me Pizën ka një javë pushim para Milanit, çka e ndihmon shumë procesin e rikthimit. Pas fazës klinike, vjen rikuperimi atletik dhe integrimi me grupin”, sqaroi mjeku.
Për Napolin, humbja e një shtylle si Rrahmani në prapavijë është gjithmonë e rëndë, por rikuperimi i shpejtë është një lajm që qetëson. Për Kosovën, kjo është edhe më tepër. Tetori sjell ndeshje vendimtare për kualifikueset, dhe kapiteni duket se do të jetë aty, në zemër të mbrojtjes, për t’i udhëhequr Dardanët.