Mesfushori i Napolit, Kevin De Bruyne, nuk ndalet së shkruari histori me fanellën e Belgjikës. Ylli 33-vjeçar shënoi dy herë në fitoren e thellë 6-0 ndaj Kazakistanit, duke arritur kuotën e 34 golave me kombëtaren e tij.
Ky realizim e ngjit De Bruynen në vendin e dytë të listës së golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave për “Djajtë e Kuq”, duke lënë pas legjendën Eden Hazard (33). Tashmë, vetëm Romelu Lukaku mbetet përpara tij me një rekord pothuajse të paarritshëm prej 89 golash.
De Bruyne, i njohur për vizionin, asistet dhe kontrollin e lojës, po tregon se di të jetë vendimtar edhe para portës. Nga dirigjent i mesfushës, ai është shndërruar në një lider të plotë, që e çon Belgjikën përpara edhe në tabelën e historisë.
Atmosfera në Belgjikë është e mbushur me krenari: një futbollist që prej më shumë se një dekade mban në shpinë peshën e një gjenerate të artë, tashmë shfaqet si ndjekësi më i afërt i Lukakut në garën e pavdekshme të rekordmenëve.