Errët
Ndritshëm

Dita e ndeshjes: Kosova përballë Suedisë në “Fadil Vokrri”

08.09.2025
Aa47ddbf8cb0d6267cc6b947536c153e33a1c09e1e5c292c6112edab703e5f23 800 500

Kombëtarja e Kosovës sonte rikthehet në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku pret Suedinë në ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror. Pas disfatës së thellë 4-0 në udhëtim te Zvicra, skuadra e drejtuar nga Franco Foda ka nevojë urgjente për pikët e para dhe për një reagim para publikut vendas.

As Suedia nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë. Në takimin e parë të grupit, skandinavët barazuan 2-2 ndaj Sllovenisë, çka i shton edhe më shumë peshë duelit të sotëm në Prishtinë. Të dyja kombëtaret janë të vetëdijshme se një tjetër hap i gabuar mund të kushtojë shtrenjtë në garën për Botërorin.

Statistikat flasin qartë: në tre përballjet e mëparshme mes Kosovës dhe Suedisë, kanë fituar gjithmonë suedezët, dy herë në ndeshje kualifikuese dhe një herë në miqësore. Megjithatë, Foda dhe lojtarët e tij besojnë se atmosfera në “Fadil Vokrri” mund të bëjë diferencën.

Duhet të tregojmë karakter pas humbjes në Zvicër. Tifozët tanë na japin energji dhe e dimë se vetëm me përqendrim maksimal mund të rivalizojmë një kundërshtar të fortë si Suedia,” u shpreh trajneri gjerman në konferencën para ndeshjes.

Prishtina pritet të ofrojë një mbrëmje me atmosferë të zjarrtë, pasi interesimi i tifozëve ka qenë i madh. Për Kosovën, kjo nuk është thjesht një ndeshje kualifikuese: është një test i besimit dhe një mundësi për të shkruar faqen e parë të historisë ndaj suedezëve.

Errët
Ndritshëm