Operacioni policor për ‘fajde’ dhe ‘shpëlarje parash’ të premten, rezultoj me dy persona të arrestuar
Policia e Kosovës, respektivisht hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të veprimeve hetimore me urdhër të Prokurorisë Speciale, kanë arrestuar B.M. dhe Q.M., nën dyshimet për kryerjen e veprave penale: “fajde”, “shpëlarje e parave”, “kanosje”, “falsifikim i dokumenteve” dhe “mashtrim”.
Hetuesit policorë, me autorizim të Prokurorisë Speciale, më 5 shtator 2025 kanë zbatuar urdhrin e kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, në katër ( lokacione: shtëpi, banesa, biznese dhe objekte përcjellëse, të personave të dyshuar, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale, të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit nga Prokuroria Speciale, dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale, mbetet e përkushtuar që në vazhdimësi të trajtojë informacionet dhe dyshimet me profesionalizëm, në mënyrë që të gjithë kryesit e veprave penale të vihen para përgjegjësisë ligjore.