Errët
Ndritshëm

Klinaku dhe Selmani mohojnë fajësinë për kanosje ndaj Kurtit

03.09.2025

Faton Klinaku dhe Nuredin Selmani janë paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku kanë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për akuzën e kanosjes ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Për postimin tim konsideroj që nuk ka vepër penale, prandaj nuk e pranoj”, tha Klinaku para trupit gjykues.

Me një deklaratë të ngjashme doli edhe Nuredin Selmani, duke mohuar pretendimet e Prokurorisë.

Kryeministri Kurti, i cili ishte i pranishëm në sallë, theksoi se në këtë rast paraqitet si palë e dëmtuar dhe se përfaqëson vetë veten, duke bërë të ditur se nuk do të paraqesë kërkesë pasuroro-juridike.

Prokuroria Themelore e Prishtinës i akuzon Klinakun dhe Selmanin se më 30 gusht 2023 kanë bërë kanosje ndaj kryeministrit përmes postimeve në rrjetet sociale.

Sipas aktakuzës, më 30 gusht 2023, Klinaku akuzohet se ka ripostuar një mesazh me përmbajtje kërcënuese ndaj Kurtit, ku thuhej:

“…Prapë po e përsëris, nëse ju duket skandaloz postimi i mëhershëm: Më parë e vras A.K. sesa t’ia lëshoj rrugën dhe të iki nga Kosova.”

“E mbështes Faton Klinakun, veç një telefon ma bon Faton. Mezi po pres me ia nisë”, pati shkruar Selmani.

Errët
Ndritshëm