Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi.
Reagimi erdhi pas mbledhjes së KQZ-së të mbajtur më 1 shtator 2025, ku Krasniqi përdori, sipas Gjykatës, gjuhë të papranueshme ndaj këtij institucioni dhe gjyqtarit të saj, Zenel Leku.
Në komunikatën e lëshuar, Gjykata Supreme shprehu shqetësim të thellë dhe e cilësoi këtë qasje si “sulm të drejtpërdrejtë ndaj integritetit të një gjyqtari dhe sistemit të drejtësisë në Kosovë”.
“Lakimi dhe krahasimi i emrit të gjyqtarit Zenel Leku është tentativë e ulët për ta dëmtuar figurën e tij dhe për ta minuar besimin në drejtësi”, thuhet në reagim.
Tutje, Gjykata Supreme theksoi se shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve në një institucion si KQZ, “ku pritet maturi, qartësi dhe respekt”, tregojnë mungesë të kulturës politike.
“Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo për të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato me akuza pa fakte”, u tha në komunikatë.