Një 24-vjeçare ka humbur jetën të premten pasi dyshohet se është plagosur nga arma e zjarrit në një poligon të qytetit të Prishtinës.
Rasti është raportuar rreth orës 19:30 në poligonin e armëve që ndodhet në rrugën “Dritan Hoxha”. Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, viktima, L.S., është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku rreth orës 22:00 është konfirmuar vdekja e saj.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia ka ndërmarrë hetime të shpejta dhe ka arrestuar një zyrtar përgjegjës të poligonit. Ky i fundit është ndaluar për 48 orë, ndërkohë që hetuesit janë duke punuar në sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Hetimi është nisur si rast “Vetëvrasje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm me pasojë vdekjen”, sipas urdhrit të prokurorit.
Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.