Policia e Kosovës ka publikuar një seri këshillash për prindërit dhe fëmijët, me qëllim sigurimin e rrugëtimit të sigurt drejt shkollës.
Sipas Policisë, planifikimi i rrugës më të sigurt është hapi i parë. Prindërit duhet të rishikojnë emrat e rrugëve dhe orientimet për të shmangur humbjet gjatë ecjes.
Po ashtu, fëmijët duhet të mësojnë shenjat e trafikut dhe të praktikojnë njohjen e tyre përmes lojërave edukative. Kontakti me sy me shoferët dhe sigurimi që automjetet janë ndalur para se të kalojnë rrugën është gjithashtu i rëndësishëm.
Policia këshillon largimin e kufjeve ose pajisjeve që pengojnë dëgjimin, pasi zërat e trafikut janë sinjale paralajmëruese. Për ditë me shi apo errësirë, fëmijët duhet të veshin rroba me ngjyra të ndritshme ose reflektuese për t’u bërë të dukshëm.
Prindërit duhet të japin shembull të mirë duke përdorur gjithmonë dritën e gjelbër për këmbësor në semafor dhe vijat e bardha të shënuara në rrugë, duke shmangur kalimin në vende të pasigurta.
Përveç kësaj, shmangia e ecjes mes makinave të parkuara është thelbësore, pasi drejtuesit mund të mos i shohin fëmijët që kalojnë.
Këto këshilla synojnë të rrisin sigurinë e fëmijëve dhe të parandalojnë aksidentet në rrugë gjatë nisjes për në shkollë.