Errët
Ndritshëm

Kurti në mbrojtje të Bashës për publikimin shkencor ku fyhej UÇK

29.08.2025

Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka reaguar për publikimin shkencor, ku fyhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bashkautor i të cilit është kryetari i Kuvendit, Dimal Basha.

Kurti tha se kjo nuk ka asnjë lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe se çdo manipulim në këtë drejtim është i pabazë.

“Kryetari i Kuvendit Dimal Basha ka sqaruar që kapitulli që e ka shkruar ai nuk ka lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ju e keni parë edhe fjalimin e tij pas zgjedhjes, ku ka shprehur vlerësimet më të larta për këtë vlerë të shenjtë të Kombit Shqiptar”, tha Kurti.

Ai shtoi se problemet aktuale në Kosovë nuk lidhen me këtë çështje, por me vendime dhe marrëveshje politike të së kaluarës.

“Problemet që kemi sot nuk lidhen me keqinterpretimin e një artikulli të bashkautorësisë së bërë para më shumë se një dekade. Problemet i kemi nga nënshkrimi i ‘Zajednicës’ në vitin 2013, amnistimi i kriminelëve serbë në veri, votimi për Gjykatën Speciale në 2015, krijimi i Listës Serbe në bashkëpunim me Beogradin dhe qeveritë që janë varur nga pazaret me këtë listë, jo nga artikulli ku manipulohet kreu i Kuvendit, i cili nuk ka autorësi atje”, tha Kurti.

Errët
Ndritshëm