Errët
Ndritshëm

Zvicra publikon listën për Kosovën, mungojnë disa emra shqiptarë

28.08.2025
35cbd34f 319c 46a6 97e2 0cedf30ed8b5

Kombëtarja e Zvicrës ka bërë publike listën me 23 futbollistët e ftuar për përballjen ndaj Kosovës, e cila zhvillohet më 5 shtator në “St. Jakob-Park” të Baselit, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Trajneri Murat Yakin ka përzgjedhur emrat më të rëndësishëm të skuadrës helvetike, ku spikasin mesfushorët shqiptarë Granit Xhaka dhe Ardon Jashari, të cilët do të jenë pjesë e ndeshjes ndaj Dardanëve.

Megjithatë, në listë mungojnë disa futbollistë me origjinë shqiptare që kanë qenë pjesë e diskutimeve të fundit. Uran Bislimi, i cili më herët kishte refuzuar Kosovën për të zgjedhur Zvicrën, këtë herë nuk është ftuar nga Yakin. Po ashtu, mbrojtësi Albian Hajdari, i cili mbetet ende i pavendosur për të ardhmen e tij ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, nuk është pjesë e skuadrës.

Ky vendim vjen në një periudhë kur çështja e zgjedhjeve të futbollistëve shqiptarë ka marrë shumë vëmendje. Vetëm pak ditë më parë, mesfushori i ri Leon Avdullahu mori vendimin e madh për të refuzuar Zvicrën dhe për t’u bashkuar me Kosovën, duke shkaktuar reagime të shumta në mediat zvicerane.

Përballja Zvicër – Kosovë pritet të jetë e mbushur me emocione të veçanta, jo vetëm për shkak të rivalitetit sportiv, por edhe për lidhjet e forta që ekzistojnë mes lojtarëve dhe dy kombëtareve.

Errët
Ndritshëm