Errët
Ndritshëm

Tuneli i Llogarasë me tarifë 10 euro prej 15 shtatorit

27.08.2025

Më herët u njoftua se qarkullimi në Tunelin e Llogarasë do të jetë pa tarifë deri në fund të sezonit turistik, që parashikohet të zgjasë deri më 15 shtator. Pas kësaj date, do të nisë aplikimi i tarifës prej 10 eurosh për vajtje-ardhje për çdo makinë.

Tuneli i Llogarasë, me gjatësi 5.9 kilometra, zvogëlon ndjeshëm kohën e udhëtimit: rruga nga Dukati drejt Palasës përshkohet për vetëm 7 minuta, krahasuar me 45 minuta që duhen përmes Qafës së Llogarasë.

Projekti përfshin dy tunele, ku njëri është i dedikuar për emergjencë. Në rast të rritjes së fluksit të turistëve, të dy tunelet do të vihen në funksion të qarkullimit.

Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror që përfaqësohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të menaxhojë vetëpagesat. Enti do të kujdeset për operimin dhe mirëmbajtjen e portave automatike, sistemin e tarifimit, shpërndarjen e biletave, si dhe për abonimet mujore për përdoruesit.

Aktualisht, tre janë segmentet rrugore që aplikojnë pagesë: Milot–Morinë, Thumanë–Kashar dhe Dukat–Palasë.

Errët
Ndritshëm