Ousmane Dembélé po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij, duke u konsideruar tashmë mes kandidatëve për Topin e Artë. Anësori i PSG-së ka treguar se pas këtij transformimi fshihet një ndikim i madh nga Lionel Messi, me të cilin ndau dhomën e zhveshjes te Barcelona.
Në një intervistë për FourFourTwo, 27-vjeçari tha se këshillat e argjentinasit e ndihmuan ta kuptonte seriozitetin e futbollit profesionist.
“Që nga dita e parë, Messi më qëndroi pranë. Dollapi im ishte afër të tijit dhe shpesh më jepte këshilla. Ai e kuptonte saktë se çfarë më duhej. Për mua, ai është më i madhi, lojtari që më frymëzon vërtet”, tha Dembele.
Francezi shtoi se këshilla vendimtare ishte thjesht porosia e Messit për të marrë gjithçka më seriozisht:
“Messi më tha se nëse doja të arrija ëndrrat e mia, duhej të përkushtohesha maksimalisht. Që atëherë, fillova të mësoj nga çdo gjë që ai bënte në fushë.”
Me PSG-në, Dembele ka nisur sezonin në formë të shkëlqyer dhe për herë të parë shihet si një lider i vërtetë, duke e kthyer potencialin e hershëm në realitet.