Sulmuesi holandez, Memphis Depay, mund të rikthehet së shpejti në futbollin evropian. Sipas gazetarit të njohur të merkatos, Fabrizio Romano, 31-vjeçari ka marrë oferta nga tre klube të Evropës dhe po mendon largimin nga Corinthians.
Depay iu bashkua klubit brazilian në vjeshtën e vitit 2024 si lojtar i lirë, pas përfundimit të kontratës me Atletico Madrid. Me fanellën e Corinthians, ai ka zhvilluar 49 ndeshje, duke shënuar 15 gola dhe duke dhuruar 14 asistime. Kontrata e tij me klubin është e vlefshme deri në fund të vitit 2026, por interesimi i klubeve evropiane pritet ta shtyjë të marrë një vendim për të ardhmen.
Gjatë karrierës së tij, Depay ka luajtur për disa prej skuadrave më të njohura evropiane, përfshirë PSV Eindhoven, Manchester United, Lyon, Barcelonën dhe Atletico Madridin. Rikthimi i mundshëm në Evropë shihet si një hap i natyrshëm për një sulmues me përvojë dhe profil të lartë.