Errët
Ndritshëm

Lubisha Milkoviq përfundon në paraburgim, i dyshuar për sulmet e dhunshme në Zveçan

26.08.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit Lubisha Milkoviq, i cili dyshohet për disa vepra penale të rënda.

Sipas aktakuzës, Milkoviq akuzohet për bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm.

Në vendim thuhet se më 29 maj 2023 në Zveçan, Milkoviq në koordinim me persona të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kishte marrë pjesë aktive në një turmë që përmes dhunës tentoi të pengonte vendosjen e rendit kushtetues në komunat veriore. Turma kishte përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara dhe armë zjarri, duke lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, prej tyre tre nga predhat e armëve të zjarrit.

Po ashtu, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale ndaj automjeteve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturave të gazetarëve, përfshirë edhe djegien e disa automjeteve.

Gjykata vlerësoi se paraburgimi është masë e domosdoshme pasi Milkoviq ka shtetësi dhe vendbanim në Serbi, prandaj ekziston rreziku i arratisjes. Po ashtu, nëse lihet i lirë ai mund të ndikojë tek dëshmitarët, bashkëkryesit e tjerë ose të asgjësojë prova.

Errët
Ndritshëm