Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave: F.C., B.B., L.J. dhe E.L., për disa vepra penale.
F.C. dhe B.B. akuzohen për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, në lidhje me “Trafikim me njerëz”.
Gjithashtu, B.B. akuzohet për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas aktakuzës, nga viti 2019 deri më 29 korrik 2024, F.C. dhe B.B., si pjesë e një grupi të organizuar kriminal dhe së bashku me persona të tjerë, kanë organizuar, rekrutuar, transportuar, transferuar dhe strehuar gra dhe vajza nga Amerika Latine dhe shtete të tjera në Kosovë.
Viktimat janë detyruar të ofrojnë shërbime seksuale me pagesë përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës.
Ndërkohë, L.J. dhe E.L. akuzohen për “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit” dhe “Grabitja”. Sipas aktakuzës, më 29 korrik 2024, ata kanë sulmuar viktimat dhe përvetësuar një shumë parash në mënyrë të kundërligjshme.
Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit në fuqi.