Sunderland ka zyrtarizuar Granit Xhakën si kapiten të skuadrës për sezonin e ri të Premier League 2025-26. Mesfushori kosovar i njohur për lidershipin e tij në fushë dhe karakterin e fortë, do të udhëheqë “Black Cats” në rikthimin e tyre në elitën e futbollit anglez.
Xhaka, i cili më parë ka mbajtur shiritin e kapitenit te Borussia Mönchengladbach, Arsenal dhe në disa ndeshje me Bayer Leverkusen, është kapiten i kombëtares së Zvicrës që nga viti 2020. Pas marrjes së përgjegjësisë në Stadium of Light, ai shprehu krenarinë dhe ambicien për ta çuar skuadrën drejt sukseseve.
“Më bën jashtëzakonisht krenar që jam kapiten i këtij klubi dhe i kësaj skuadre. Dua të tregoj lidershipin tim brenda dhe jashtë fushës, të ndihmoj shokët e mi dhe të kërkoj më të mirën prej tyre. Jam fitues dhe dua të fitoj, pres të njëjtën gjë nga secili në këtë ekip,” tha Xhaka për faqen zyrtare të Sunderlandit.
Trajneri Regis Le Bris vlerësoi përvojën dhe ndikimin e 32-vjeçarit në dhomën e zhveshjes.
“Në Premier League do të na duhet qëndrueshmëri, pjekuri dhe eksperiencë dhe Graniti i ka të gjitha. Ai ka treguar nivel të lartë që nga dita e parë dhe lidershipi i tij ndjehet nga të gjithë në skuadër,” deklaroi Le Bris, duke shtuar se Xhaka do të jetë pjesë e një grupi të ri drejtues që do të finalizohet pas afatit kalimtar veror.
Emërimi i Xhakës shihet si një hap strategjik për Sunderlandin, që synon të konsolidohet në Premier League pas rikthimit, duke pasur në krye një lider me reputacion ndërkombëtar dhe mentalitet fitues.