Errët
Ndritshëm

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e Enver Bajraktarit në Lipjan

13.08.2025
Enver Bajraktari 1 1

I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji Top Kolshit, të arrestuarit për vrasjen e Enver Bajraktarit në Baicë të Lipjanit.

Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Sinjalin se Prokuroria ka kërkuar caktimin e kësaj mase dhe ajo është vendosur nga Gjykata në seancën e mbajtur.

Një person është arrestuar të martën nën dyshimin për përfshirje në vrasjen e rëndë që ka ndodhur në Baicë të Lipjanit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë një ditë më parë njoftoi se i dyshuari Top Kolshi e ka pranuar fajin për vrasjen dhe pastaj fshehjen e kufomës së Enver Bajraktarit.

Një ditë pasi e kishin raportuar të zhdukur, familjarët e kishin gjetur trupin e Bajraktarit në një gropë mbi të cilën kishte edhe dërrasa, brenda një are të mbjellë me misër në fshatin Baicë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se zbulimi i të dyshuarit është bërë pas një pune intensive me policinë.

Pas punës operative, Top Kolshi u arrestua më 12 gusht. Arrestimi u krye në shtëpinë e tij në Baicë, ku gjatë kontrollit policia gjeti dhe sekuestroi dy telefona, një pushkë gjuetie, 50 gëzhoja dhe prova të tjera që mund të lidhen me vrasjen.

Errët
Ndritshëm