Superkupa e UEFA-s, që do të zhvillohet të mërkurën më 13 gusht në qytetin italian të Udines, do të ketë masa sigurie të paprecedenta, pas klasifikimit të saj si ngjarje me “rrezik të lartë” nga autoritetet kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas agjencisë italiane ANSA, nënkryetari i bashkisë Pasquale Antonio De Lorenzo ka marrë miratimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për angazhimin e rreth 1000 oficerëve të rendit, prej të cilëve 600 do të vijnë nga rajone të tjera të Italisë. Operacioni do të përfshijë njësi të specializuara për çmontimin e bombave, trupa kundër trazirave dhe helikopterë të pajisur me kamera mbikëqyrjeje dhe pajisje të shikimit natën.
Interesimi për ndeshjen është i madh: tifozët francezë të Paris Saint-Germain kanë blerë 6600 bileta, ndërsa ata të Tottenhamit kanë siguruar 4700. Pjesa e mbetur ka shkuar për tifozët neutralë, me stadiumin që ka kapacitet rreth 23 mijë spektatorë.
Autoritetet italiane po përgatiten veçanërisht për marshimin e rreth 900 ultrasve të PSG-së, të cilët pritet të mbërrijnë në Udine në mëngjesin e 13 gushtit. Procesioni i tyre drejt stadiumit do të nisë në orën 18:30 nga zona e tifozëve dhe do të shoqërohet nga një prani e madhe policore, përfshirë karabinierët dhe policinë financiare, për të shmangur çdo incident të mundshëm.
Ndeshja, e cila do të përballë kampionët e Ligës së Kampionëve dhe fituesit e Ligës së Evropës, pritet të jetë një spektakël futbolli, por edhe një provë e madhe për organizimin dhe sigurinë në qytetin verior italian.