Gjykata Themelore ka sqaruar lirimin me dorëzani të Mefail Shkodrës dhe të birit të tij, Edonis Shkodra, të arrestuar për fajde një vit më herët.
Themelorja ka sqaruar se më datë 21.06.2024 pati pranuar kërkesën nga Prokuroria Speciale për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale Fajdeja dhe Detyrimi.
Njoftohet se për të dy të dyshuarit ishte caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. Ndaj të njëjtëve ishte kërkuar më pas vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj, pasi dyshoheshin edhe për dy vepra tjera penale, “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” dhe “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Me datë 19.09.2024 është marrë vendim që të dyshuarve t’u vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj për secilin, e cila masë iu është llogaritur deri me datë 21.11.2024.
“Me datë 08.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. lidhur me të pandehurin M.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 €, ndërsa ndaj të pandehurit E.Sh. është propozuar dorëzania në vlerë prej 20,000.00. Gjyqtari i procedurës paraprake, me datë 08.10.2024 përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurve M.Sh. dhe E.Sh. dhe ka obliguar të pandehurit që të lënë në hipotekë njësinë kadastrale në të cilën parcelë janë të ndërtuara dy objekte me shumë totale prej 354.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 70.000.00 nga Prokuroria Speciale, për të pandehurit M.Sh. dhe E.Sh..”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se në këtë çështje penale është i përfshirë edhe i pandehuri A.R. për veprat penale Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar dhe Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.
“Departamenti Special ka pranuar Propozimin për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale edhe ndaj të pandehurit A.R., (lidhur me të pandehurin A.R. është propozuar dorëzania në vlerë prej 50,000.00 €. Gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka aprovuar propozimin e PSRK-së për Zëvendësimin e masës së Paraburgimit me masën e Dorëzanisë në çështjen penale ndaj të pandehurit A.R. dhe ka obliguar të pandehurin që të lë në hipotekë njësinë kadastrale, në të cilat parcela shuma totale vlerësohet prej 236.00 euro, e cila shumë siguron vlerën e shumës sa është propozuar vlera e masës së dorëzanisë prej 50.000.00 nga Prokuroria Speciale, për të pandehurin A.R.”, thuhet tutje në përgigjen e Themelores.
Tre persona janë vrarë e disa janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjilan të dielën në mesditë.