Errët
Ndritshëm

Ali Sefaj fton qytetarët: Dilni sot në protestë për Gazën

09.08.2025
Auto Capture 1391754720336

Aktivisti i shoqërisë civile, Ali Sefaj, ka bërë thirrje të fuqishme për qytetarët që të bashkohen në Prishtinë në protestën e sotme, që nis në ora 19:00, në shenjë solidariteti me fëmijët e Gazës, të cilët po vuajnë nga dhuna dhe kriza humanitare, të shkaktuara nga Izraeli.

“Dil protesto dhe solidarizoho me fëmijët në Gaza. Mos lejo që paragjykimet, shpifjet dhe propaganda për politikën në Palestinë të të ndalojnë nga ajo që është e drejtë,” tha Sefaj në Facebook.

Ai apelon që njerëzit të dalin në rrugë për shkak të vuajtjeve të fëmijëve, që sipas tij, po vdesin nga uria, bombat.

“Heshtja përballë krimit është bashkëpunim me krimin,” shtoi ai.

Ali Sefaj u drejtua edhe kundër atyre që përpiqen të justifikojnë dhunën me fraza si “po edhe ata” ose me argumente politike, duke theksuar se në këtë rast, “ka foshnja të mbuluara me pluhur dhe gjak, foshnja pa këmbë dhe pa duar, foshnja pa varre dhe varre femijësh pa emra.”

“Dil për njerëzoren, sepse bota dje doli për ne, kur edhe ne ishim të rrethuar, të uritur dhe pa zë. Sot e gjithë bota po solidarizohet me Gazën, dhe heshtja është turpi më i madh,” u shpreh Sefaj.

Errët
Ndritshëm