Barcelona ka konfirmuar se portieri Marc-André ter Stegen ka nënshkruar marrëveshjen për ndarjen e të dhënave të tij mjekësore me La Ligën, duke i hapur rrugë zgjidhjes së një çështjeje disiplinore dhe rikthimit të tij si kapiten i ekipit të parë.
Portieri gjerman 33-vjeçar iu nënshtrua kohë më parë një operacioni në shpinë. Sipas rregullave të La Ligës, në rast se rikuperimi i një lojtari tejkalon pesë muaj, klubet lejohen të përdorin deri në 80% të pagës së tij për të përmbushur kriteret e “fair play”-it financiar dhe për të regjistruar një lojtar të ri. Në këtë kuadër, Barcelona kishte planifikuar të transferonte portierin Joan Garcia.
Mirëpo, ky proces kërkonte pëlqimin e Ter Stegen për publikimin e të dhënave të tij mjekësore, të cilat janë konfidenciale. Edhe pse asnjë lojtar i Barcelonës nuk kishte refuzuar më parë një leje të tillë, rasti i tij tërhoqi vëmendje të madhe.
Ter Stegen ka deklaruar më herët se pret të rikuperohet brenda rreth tre muajsh. Në sezonin e kaluar, ai pësoi 11 gola në 9 paraqitje, regjistroi një ndeshje pa pësuar gol dhe humbi pjesën më të madhe të edicionit për shkak të një këputjeje të ligamentit të kryqëzuar.