Universiteti i Prishtinës nuk ka dhënë asnjë qëndrim zyrtar as nuk është distancuar akoma lidhur me dënimin e profesor Blerim Latifit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila më 29 qershor 2023 e shpalli fajtor për kanosje me fjalë ndaj nxënësve të një klase të parë dhe dy grave, për të cilin të premten raportoi Shënjestër.net.
Blerim Latifi është pjesë e stafit akademik të UP-së që nga viti 2004.
Sipas aktvendimit, Latifi më 4 prill 2023, kishte hyrë në klasën 1/6 dhe iu ishte drejtuar fëmijëve me fjalët:
“…ka shenja në këmbë, ka qivita, nëse edhe njëherë ndodhë me ardhë me shenja të tilla, unë juve dhe familjeve tuaja i’u shkyjë gojën”.
Për këtë veprim, gjykata vendosi ta dënojë me një gjobë prej 150 eurosh.
Pyetjet për UP-në, por asnjë përgjigje zyrtare
Duke pasur parasysh pozitën publike dhe akademike të Blerim Latifit si profesor në Universitetin e Prishtinës, redaksia e Shenjester.net i ka dërguar pyetje zyrtare institucionit më të madh të arsimit të lartë në vend, për të kërkuar sqarime mbi këtë çështje, por nuk ka marrë përgjigje.
Rektori Hajrullahu: Nuk jam në dijeni. Mos më shqetësoni në vikend
I kontaktuar nga Shenjester, rektori i UP-së, Arben Hajrullahu, tha se nuk është në dijeni për rastin në fjalë, edhe pse vendimi gjyqësor është dhënë më shumë se një vit më parë.
Kur u pyet për një qëndrim paraprak, rektori u shpreh se pyetjet duhet t’i dërgohen me shkrim dhe kërkoi që të mos shqetësohet gjatë vikendit.
“Mos më thirr në vikend. Dërgojë pyetjet me shkrim”, tha ai për Shenjester.net.
Pyetjet i janë nisur. Përgjigje nuk ka.
Shenjester.net do të vazhdojë të ndjekë këtë rast dhe të publikojë çdo zhvillim të mëtejshëm që lidhet me qëndrimin zyrtar të UP-së dhe pozicionin e profesorit Blerim Latifi brenda institucionit.