Errët
Ndritshëm

Protestohet kundër Gjykatës Speciale

07.08.2025
Proteste Ovl E Uck

Organizatat e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të organizojë protestë kundër Gjykatës Speciale të enjten.

Ata janë ankuar në këtë gjykatë, pasi, sipas tyre, po synon ta rishkruajë historinë.

Nga zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së është bërë thirrje që të enjten, prej orës 17:00, të protestohet në sheshet e Prishtinës kundër drejtësisë që ndan Gjykata Speciale në Hagë.

Nënkryetari i kësaj organizate, Gazmend Syla, ka thënë se janë bërë të gjitha përgatitjet që protesta të jetë e qetë, por masive.

“Shfrytëzoj rastin t’i ftoj të gjithë ata qytetarë që bashkëndiejnë me ne, që bashkëndiejnë me ata bashkëluftëtar që sot padrejtësisht po gjykohen në Hagë, të marrin nesër pjesë në këtë protestë, në orën 17:00, në sheshin ‘Skënderbeu’, që ta dërgojmë një mesazh edhe te ta, edhe te bashkësia ndërkombëtare se bashkëluftëtarët tonë nuk janë vetëm”, ka thënë Syla.

Syla është ankuar në procesin e zhvilluar deri tash nga Gjykata Speciale në Hagë dhe ka kërkuar reagim ndërkombëtar.

“Aty po cenohet të rishkruhet historia jonë, po cenohet të rishkruhet historia e shtetndërtimit tonë, këtë shtet dihet që e kemi ndërtuar së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. Andaj, kjo lëkund themelet e shtetit tonë, jemi duke pritur nëse ka reagim ndërkombëtar, nëse jo ne do të vazhdojmë prapë me protesta”, ka deklaruar ai.

Errët
Ndritshëm