Punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kanë protestuar sot para ndërtesës së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar alokimin e buxhetit për gjashtëmujorin e dytë dhe pagesën e pagave për mbi 700 punonjës të mediumit të vetëm publik në vend.
Protesta është organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), e cila ka theksuar se qëllimi i kësaj daljeje publike është mbrojtja e RTK-së, dinjitetit të punëtorëve dhe garantimi i të drejtave themelore financiare.
Kryetari i sindikatës, Gëzim Bimbashi, ka kërkuar nga institucionet që urgjentisht të ndajnë mjetet për funksionimin e rregullt të RTK-së, duke shtuar se qindra familje të punonjësve tashmë përballen me vështirësi të mëdha ekonomike. Ai ka theksuar se protesta është plotësisht jopolitike dhe ka kërkuar gjithashtu rritje të buxhetit për vitin e ardhshëm.
Edhe kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Xhemajl Rexha, ka reaguar duke e cilësuar krizën në RTK si të evitueshme, nëse institucionet do të kishin vepruar me kohë. Ai ka bërë thirrje për alokimin e menjëhershëm të buxhetit, duke theksuar rolin kyç që RTK luan në skenën mediale të Kosovës.