Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mbajtën sot një konferencë për media, ku prezantuan detaje rreth protestës së paralajmëruar për nesër.
Gjatë konferencës, përfaqësuesi i organizatës, Gazmend Syla, tha se janë ndërmarrë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e protestës dhe se janë njoftuar të gjitha institucionet përkatëse.
“Janë bërë të gjitha përgatitjet për protestën e nesërme. Kemi kërkuar leje nga Komuna e Prishtinës, është njoftuar Policia e Kosovës, dhe është kërkuar edhe prania e ambulantës në rast nevoje. Është organizuar edhe transporti për të gjithë pjesëmarrësit që duan të vijnë me autobus, ndërsa kemi komunikuar edhe me parkingun ‘Prishtina’. Të gjitha janë gati, nesër vetëm fillon protesta”, deklaroi Syla.
Ai konfirmoi se folës në protestë do të jenë: profesorja universitare Nevenka, organizatori Hysni Gucati, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, një bashkëluftëtar si dhe një familjar i një dëshmori.
Syla theksoi se Organizata e Veteranëve të Luftës ka zhvilluar më parë fushata diplomatike me institucione dhe figura ndërkombëtare, por tani po kalon në veprime konkrete përmes protestës.
“Fillimisht kemi zhvilluar një fushatë diplomatike, duke kontaktuar institucione dhe figura të rëndësishme ndërkombëtare. Por tani, pas konsumimit të asaj rruge, kemi kaluar në protesta. Do të vendosim për hapat e ardhshëm, por sigurisht që protestat do të vazhdojnë, do të qëndrojmë pranë bashkëluftëtarëve tanë deri në ditën e gjykimit, e edhe pas saj”, u shpreh ai.
Një ndër shqetësimet kryesore të organizatorëve lidhet me faktin që Gjykata Speciale ka pranuar si dëshmi dokumente nga institucionet shtetërore të Serbisë. Syla e quajti këtë veprim të papranueshëm dhe kërkoi reagim nga faktori ndërkombëtar.
“Kategoritë e dala nga lufta e kanë pritur me shqetësim pranimin e dokumenteve nga tri institucione shtetërore serbe, të cilat në të kaluarën janë përfshirë në krime dhe gjenocid ndaj popullit tonë. Është e papranueshme që këto institucione të legjitimohen sot nga Gjykata Speciale, duke ditur se krerët e tyre janë dënuar nga Gjykata për Krime në Ish-Jugosllavi. Ky veprim rrezikon të rishkruajë historinë e shtetformimit tonë dhe lëkund themelet e shtetit. Presim reagim ndërkombëtar, por në mungesë të tij, do të vazhdojmë me protesta të tjera”, përfundoi Syla.
Protesta do të mbahet të enjten në ora 17:00.