Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të koduar “Lugu” në Prishtinë, ku janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për përfshirje në veprimtari të shitblerjes së narkotikëve.
Aksioni është zhvilluar më 6 gusht 2025, rreth orës 12:00, me autorizim të Prokurorisë dhe urdhëresë të Gjykatës, gjatë së cilit janë bastisur tetë lokacione të ndryshme, përfshirë shtëpi, banesa, objekte përcjellëse si dhe një lokal i njohur si “free shop”, i cili më pas është mbyllur.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar 300 gramë kokainë, e cila vlerësohet rreth 18 mijë euro, 13 mijë e 294 euro para të gatshme, pesë vetura dhe dy pajisje DVR për incizime të kamerave të sigurisë.
Të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48 orë.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e shpërndarjes së narkotikëve në vend.