Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë dhe Hercegovinës ka miratuar vendimin për t’ia hequr mandatin presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, pas aktgjykimit të formës së prerë që e dënon atë me një vit burgim dhe ndalim të ushtrimit të funksioneve publike për gjashtë vitet e ardhshme.
Sipas Radios Evropa e Lirë, Dodik u shpall fajtor për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar në Bosnje, Christian Schmidt. Mandati i tij do të hiqet zyrtarisht pas skadimit të afatit për ankesë, ndërsa ankesat mund të dorëzohen brenda dy ditëve përmes KQZ-së në Gjykatën e Bosnjës.
Gjykata vendosi se ai ka shkelur ligjin duke nënshkruar dekretin për shpalljen e disa ligjeve të cilat më parë ishin anuluar nga përfaqësuesi i lartë. Ligjet synonin të ndalonin zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe të përfaqësuesit ndërkombëtar në territorin e RS-së.
Zgjedhjet e parakohshme për presidentin e Republikës Sërpska pritet të shpallen pas përfundimit të procedurave ligjore dhe duhet të mbahen brenda 90 ditësh. Ndërkohë, zgjedhjet e rregullta janë planifikuar për tetor 2026.
Dodik, i cili ka deklaruar se nuk do të tërhiqet nga posti, si dhe partia e tij SNSD, kanë kundërshtuar vendimin. Ata kanë ftuar opozitën për formimin e një “qeverie të unitetit kombëtar” dhe kanë paralajmëruar apel në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës, duke e cilësuar vendimin si “politikisht të motivuar, antikushtetues dhe të pavlefshëm”.
Në seancën e jashtëzakonshme të Qeverisë së RS-së, të mbajtur më 5 gusht në Banjallukë, u theksua se “Gjykata dhe Prokuroria e Bosnjës janë jokushtetuese dhe kanë zhvilluar një proces të montuar politikisht kundër presidentit të RS-së”.
Në këtë rast, Milosh Llukiq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Gazetës Zyrtare të RS-së, është shpallur i pafajshëm.