Ndihmësdrejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Igor Popoviq, ka pranuar fajësinë për veprën penale “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”, sipas një njoftimi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Popoviq akuzohet se me dashje ka nxitur dhe përhapur publikisht urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike, përmes një fjalimi publik ku ka përdorur gjuhë me përmbajtje nxitëse dhe urrejtëse.
Sipas Prokurorisë, ai gjithashtu ka nxitur dhe thelluar mosbesimin dhe mosdurimin ndaj diversitetit etnik në Kosovë, duke cenuar bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve serbe dhe shqiptare.
Në aktakuzë thuhet se gjatë një fjalimi para një mase të gjerë qytetarësh, Popoviq kishte deklaruar:
“Serbët kanë pësuar këtu në rajonin e Rahovecit, Metohisë, Kosovës e Metohisë, për shkak se janë vendas dhe i kanë rrënjët këtu dhe nuk lejojnë që dikush t’i shpallë okupatorë, ardhacakë dhe t’i përzë nga këtu, nga UÇK – organizatë terroriste.”
Ai më tej ka shtuar:
“Neve na mbetet të jemi krenarë për trimërinë e viktimave dhe vëllezërve të mbetur këtu dhe të mëtojmë që Hoça e Madhe dhe Rahoveci të mbeten serbe…”
Një ditë para arrestimit, më 18 korrik, në fshatin Hoçë e Madhe të Rahovecit, gjatë një fjalimi me serbët lokalë, Popoviq e kishte quajtur UÇK-në organizatë terroriste, ndërsa kishte akuzuar edhe bashkësinë ndërkombëtare për, siç kishte thënë ai, heshtje ndaj autorëve të krimeve ndaj serbëve.
“I.P. ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë. Në bazë të kësaj, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, krahas aktakuzës, ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë edhe marrëveshjen për pranimin e fajësisë”, thuhet në njoftim.
Popoviqi ishte arrestuar më 19 korrik, në pikën kufitare me Serbinë, në Bërnjak.