Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të cilët dyshohet se keqpërdorën kartela bankare e kryen edhe veprime të tjera kriminale.
Më 31 korrik u arrestuan dy persona, ndërsa të premten u arrestua edhe i treti.
“Fillimisht janë arrestuar dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare (bllanko), si dhe kanë shpërndarë video përmes rrjeteve të ndryshme sociale duke tërhequr para në bankomate të ndryshme, si dhe kanë përdorur disa faqe në rrjete sociale për të promovuar këto lloj kartelash,” thuhet në komunikatën e Policisë.
Të dyshuarit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, dyshohet se kanë keqpërdorur kartela bankare të personave të ndryshëm.
Policia gjatë këtij aksioni ka sekuestruar edhe dy kompjuterë, një llaptop, dy telefona mobil, tri USB dhe një HDD.
Organet e rendit ftojnë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar në mbrojtjen e të dhënave personale e bankare, dhe të mos bien pre e mashtrimeve e vjedhjeve të mundshme.