Bayern Munich ka konfirmuar zyrtarisht transferimin e yllit kolumbian Luis Díaz, i cili vjen nga Liverpool për të forcuar repartin sulmues të gjigantëve gjermanë. Sulmuesi 28-vjeçar ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare, e cila do ta mbajë në “Allianz Arena” deri më 30 qershor 2029, ndërsa do të mbajë fanellën me numrin 14.
Në prezantimin e tij të parë si lojtar i Bayern Munich, Díaz u shpreh:
“Jam i emocionuar që i bashkohem Bayern Munich, një prej klubeve më të mëdha në botë. Dua të kontribuoj me stilin tim të lojës dhe vendosmërinë. Qëllimi im është të fitoj çdo trofe të mundshëm dhe do të punojmë si ekip çdo ditë për ta arritur këtë.”
Transferimi i Díaz shihet si një lëvizje strategjike për kampionët rekord të Gjermanisë, që synojnë të rikthehen në majat e futbollit evropian pas një sezoni nën pritshmëri.
Luis Díaz e nisi karrierën profesionale në vitin 2016 me ekipin Barranquilla në Kolumbi, për të kaluar më pas te Atlético Junior, me të cilin fitoi dy tituj kampioni, një Kupë dhe një Superkupë të Kolumbisë.
Në vitin 2019, ai kaloi në Evropë, duke firmosur me FC Porto. Gjatë tri sezoneve me klubin portugez, Díaz zhvilloi 125 paraqitje, shënoi 41 gola dhe fitoi dy kampionate, dy Kupa të Portugalisë dhe një Superkupë.
Në janar të vitit 2022, Díaz u transferua në Liverpool, ku ishte pjesë kyçe e skuadrës nën drejtimin e Jurgen Klopp. Me “The Reds”, ai regjistroi 148 ndeshje, 41 gola dhe 23 asistime, ndërsa fitoi FA Cup, Community Shield dhe dy Kupa të Ligës (EFL Cup).
Në arenën ndërkombëtare, Díaz përfaqëson Kombëtaren e Kolumbisë që nga viti 2018, duke shënuar 19 gola në 64 ndeshje, ndërsa spikati veçanërisht në Copa America 2021, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut.