Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Millosh Antoviqit për rolin e tij në sulmin e dhunshëm më 29 maj 2023 në Zveçan, ku u lënduan dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës.
Antoviq akuzohet për katër vepra penale: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë për huliganizëm, blerje dhe shpërndarje të narkotikëve pa leje, si dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas Prokurorisë, gjatë sulmit në afërsi të ndërtesës komunale në Zveçan, Antoviq dhe të pandehur të tjerë përdorën shufra, kokteje molotovi, mjete shpërthyese dhe armë zjarri për të sulmuar forcat e sigurisë, duke injoruar urdhrat e KFOR-it për shpërndarje paqësore.
Si pasojë, u lënduan të paktën 30 ushtarë të KFOR-it dhe disa policë, ndërsa u shkaktuan dëme të mëdha materiale, përfshirë automjete policore dhe të gazetarëve.
Gjatë hetimeve, ndaj Antoviqit u sekuestruan armë zjarri dhe substanca narkotike, të cilat Prokuroria kërkon t’i konfiskojë dhe shkatërrojë ligjërisht.
Prokuroria ka kërkuar që masa e paraburgimit ndaj Antoviqit të vazhdojë deri në përfundim të gjyqit, për shkak të rrezikut nga përsëritja e veprave të rënda.