Errët
Ndritshëm

Mbyllet dera për derrin serb, AUV vendos ndalim total përkohësisht

30.07.2025

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka ndaluar përkohësisht importin e kafshëve të gjalla dhe produkteve të derrit nga Serbia, pas konfirmimit të shpërthimeve të sëmundjeve “Gjuha e kaltër” dhe “Murtaja afrikane e derrit” në këtë shtet.

“Derisa vendimi është në fuqi qytetaret e kanë të ndaluar kalimin kufitar me çfarëdolloj produkti te derrit qe ka origjinë nga Serbia, çoftë edhe si ushqime gjatë udhëtimit”, thuhet në njoftim.

AUV ka kërkuar nga Policia, Doganat dhe institucionet në kufi të rrisin kontrollet, përfshirë edhe ato ndaj bagazheve të udhëtarëve.

Këto sëmundje nuk janë zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqesin rrezik për shëndetin publik.

Sipas AUV, “Gjuha e kaltër” prek gjedhët, delet dhe dhitë dhe transmetohet nga mushkonjat, ndërsa “Murtaja afrikane e derrit” është një sëmundje infektive virale që prek derrat e egër dhe ata shtëpiak. Kjo sëmundje shkaktohet nga virusi i sëmundjes së derrit (ASFV) dhe është e njohur për rezistencën dhe ngordhshmërinë e lartë tek derrat.

Masa mbetet në fuqi deri në një njoftim tjetër nga AUV.

Errët
Ndritshëm