Errët
Ndritshëm

Interi dërgon ofertë zyrtare për Lookmanin, Atalanta kërkon 50 milionë euro

30.07.2025
Ademola Lookman Atalanta 1

Interi ka paraqitur një ofertë zyrtare prej 45 milionë eurosh për sulmuesin nigerian të Atalantës, Ademola Lookman, por klubi nga Bergamo vazhdon të qëndrojë i palëkundur në kërkesën e tij për 50 milionë euro, sipas raportimeve të fundit nga gazetari i njohur i merkatos, Fabrizio Romano.

Bisedimet fillestare mes dy klubeve nisën me një ofertë joformale të Interit, që përfshinte 40 milionë euro si tarifë bazë dhe 5 milionë euro bonuse të mundshme. Pasi kjo propozim nuk e ndryshoi qëndrimin e Atalantës, klubi zikaltër dërgoi një ofertë me shkrim, duke rritur shumën e garantuar në 42 milionë euro, ndërsa bonuset u ulën në 3 milionë euro për një total sërish 45 milionë euro.

Pavarësisht këtij përmirësimi, Atalanta nuk është lëkundur nga qëndrimi i saj: klubi kërkon plot 50 milionë euro për ta lënë të lirë 27-vjeçarin, i cili ishte protagonist në sezonin e kaluar me gola vendimtarë në Serie A dhe në kompeticionet evropiane.

Lookman dhe agjentët e tij po ushtrojnë presion mbi Atalantën, duke kërkuar që të respektohet një marrëveshje e mëhershme mes palëve, e cila sipas tyre i garantonte lojtarit të drejtën të largohej në verë për 40 milionë euro. Por drejtuesit e Atalantës insistojnë se ky çmim vlente vetëm për oferta nga jashtë Italisë, dhe jo për rivalë të drejtpërdrejtë në Serie A, si Interi.

Në këtë fazë të negociatave, Interi duket se ka arritur limitin e tij financiar, duke bërë të qartë se nuk do të shkojë përtej ofertës aktuale prej 45 milionë eurosh. Klubi nga Milano, që këtë verë ka si synim kryesor përforcimin e krahëve sulmues pas një sezoni të suksesshëm në Ligën e Kampionëve, mbetet i vendosur të transferojë një lojtar me profil si Lookman, por nuk përjashtohet mundësia që të shikohet edhe alternativa të tjera nëse bllokohet marrëveshja.

Errët
Ndritshëm