Mesfushori shqiptar me përvojë ndërkombëtare, Granit Xhaka, është zyrtarizuar sot si lojtari më i ri i klubit anglez Sunderland AFC, duke u rikthyer kështu në Premier League pas dy vitesh mungesë.
Xhaka, i cili së fundi ishte pjesë e Bayer Leverkusen në Bundesligë, ka firmosur një kontratë trevjeçare me Sunderlandin, që këtë sezon synon të konsolidohet në elitën e futbollit anglez. Marrëveshja, sipas mediave britanike, kap vlerën e rreth 17 milionë funteve, përfshirë bonuset e mundshme.
Në deklaratën e parë si lojtar i Sunderlandit, Xhaka tha:
“Jam shumë krenar që jam këtu. Kur biseduam me klubin, ndjeva një energji dhe mentalitet që më ngjalli menjëherë dëshirën për t’u bërë pjesë e kësaj aventure. Kam ardhur për të dhënë gjithçka dhe për të ndihmuar ekipin me përvojën time.”
Transferimi i Xhakës shihet si një lëvizje e rëndësishme për klubin, që këtë verë ka bërë disa përforcime të bujshme në merkato. Drejtori sportiv i Sunderlandit, në një prononcim për media, u shpreh se prania e Xhakës në fushë dhe në dhomat e zhveshjes do të jetë thelbësore për suksesin e skuadrës.
Granit Xhaka, 32 vjeç, është njëri nga lojtarët më të njohur shqiptarë në futbollin evropian. Ai ka lindur në Zvicër nga prindër shqiptarë nga Kosova dhe ka përfaqësuar me sukses kombëtaren helvete në disa turne të mëdhenj ndërkombëtarë. Karriera e tij përfshin ekipe si FC Basel, Borussia Mönchengladbach, Arsenal dhe së fundi Bayer Leverkusen, me të cilët fitoi titullin kampion në sezonen e tij të parë.
Pritet që Xhaka të debutojë me fanellën e Sunderlandit në ndeshjen hapëse të sezonit ndaj West Ham United, që zhvillohet më 10 gusht në stadiumin Stadium of Light.