Është gjetur trupi i pajetë i 33-vjeçarit Rrahim Latifit, mërgimtarit, i cili dyshohet se kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik.
Për gjetjen e trupit të tij ishin angazhuar shumë ekipe, ndërkaq sot atje zbarkuan edhe trupat e FSK-së.
33-vjeçari Rrahim Latifi, dyshohet se është hedhur nga një lartësi prej 20 metrash.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka konfirmuar gjetjen e trupit të pajetë të 33-vjeçarit në Liqenin e Ujmanit.
“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe koordinimeve me partnerët për angazhimin e Ekipeve të FSK-së, Komandanti i FSK-së Gjenerallejtënant Bashkim Jashari ka urdhëruar ekipet e Kërkim Shpëtimit në Ujëra, për realizimin e operacionin humanitar në kërkim të personit të raportuar si i zhdukur. Me pranimin e urdhrit, ekipet e FSK kanë marrë të gjitha masat dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe qendror janë angazhuar në operacion e kërkimit të personit të zhdukur”,ka shkruar FSK-ja.
Sipas FSK-së, falë intensitetit të lartë të kërkimit dhe profesionalizmit të ekipeve të tyre në terren, pas disa orësh kërkimi në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, AME dhe KFOR, kanë arritur të gjejnë trupin e pajetë në zonën e liqenit të Ujmanit.