William Saliba vazhdon të jetë një shtyllë e pazëvendësueshme në projektin afatgjatë të Mikel Artetës te Arsenali. Sipas raportimeve të mediumit spanjoll AS, drejtuesit e klubit londinez kanë mbyllur çdo derë për shitjen e mbrojtësit francez, edhe në rast të një oferte që kalon 100 milionë euro.
Saliba, i cili ka kontratë me “Topçinjtë” deri në vitin 2026, është në radarët e Real Madridit. Në kryeqytetin spanjoll, ai vlerësohet shumë, veçanërisht pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve ndaj madrilenëve. Megjithatë, Arsenali nuk ka ndërmend të dëgjojë oferta, pasi lojtari shihet si thelbësor në ndërtimin e një skuadre pretendente për trofe madhorë.
“Jam i bindur se William do të qëndrojë. Kemi folur dhe ai është vërtet i lumtur këtu”, kishte deklaruar trajneri Mikel Arteta në maj.
Saliba iu bashkua Arsenalit në vitin 2019 për 30 milionë euro dhe është rritur në një prej qendërmbrojtësve më të mirë në botë. Verën e kaluar, ai nënshkroi një kontratë të re me paga mbi 11 milionë euro në vit dhe klubi është i gatshëm të përmirësojë edhe më tej kushtet e tij për ta mbajtur në “Emirates Stadium” për shumë vite të tjera.