Andrea Pirlo është emëruar zyrtarisht trajner i ri i United FC, klub që garon në Divizionin e Parë të Emirateve të Bashkuara Arabe. Legjenda italiane e futbollit, fitues i Kupës së Botës me Italinë në vitin 2006 dhe një nga mesfushorët më të spikatur të brezit të tij, do të udhëheqë ekipin nga Dubai në sezonin e ardhshëm.
Nëpërmjet një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të klubit, United FC theksoi se emërimi i Pirlos shënon një kapitull të ri dhe ambicioz për të ardhmen e klubit, i cili sezonin e kaluar përfundoi në vendin e katërt, një pozicion që nuk përmbushi pritshmëritë e drejtuesve.
Presidenti i klubit, Ilie Cebanu, shprehu entuziazmin për bashkëpunimin me ish-mesfushorin e Juventusit dhe Milanit:
“Jemi krenarë që e mirëpresim Andrean në familjen tonë. Ai mishëron vlerat dhe ambiciet e United FC dhe besojmë se do të jetë një figurë kyçe në ngritjen e klubit në një nivel tjetër.”
46-vjeçari tashmë ka mbërritur në Dubai dhe ka filluar punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri. Përgatitjet kanë nisur menjëherë, ndërsa detajet rreth kontratës së tij pritet të bëhen publike në ditët në vijim.
Pirlo e nisi karrierën si trajner në vitin 2020 me ekipin e të rinjve të Juventusit, për t’u promovuar më pas në drejtimin e ekipit të parë. Ai ka drejtuar gjithashtu ekipin turk Fatih Karagümrük dhe së fundi Sampdorian në Serie B. Emërimi i tij në Emiratet e Bashkuara konsiderohet si një hap strategjik për të ringjallur karrierën si trajner në një treg që po tërheq gjithnjë e më shumë emra të mëdhenj të futbollit botëror.