Siria dhe Arabia Saudite shpallën të enjten në Damask nënshkrimin e 47 marrëveshjeve investimi me një vlerë totale mbi 6 miliardë dollarë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rindërtimit të ekonomisë së shkatërruar nga lufta e gjatë.
Marrëveshjet, të cilat u nënshkruan gjatë Forumit të Investimeve Siri-Arabi Saudite, përfshijnë një gamë të gjerë sektorësh, si pasuritë e paluajtshme, telekomunikacioni dhe financa. Projektet e planifikuara përfshijnë ndërtimin e banesave, rindërtimin e zonave të dëmtuara nga lufta, zhvillimin e turizmit, objekteve mjekësore dhe argëtuese, si edhe ndërtimin e tri fabrikave të reja çimentoje, raporton Asocciated Press.
Ministri sirian i Informacionit, Hamza al-Mustafa, deklaroi se këto marrëveshje pritet të krijojnë rreth 50,000 vende të reja pune direkte dhe 150,000 të tjera indirekte.
Arabia Saudite ka shprehur mbështetje të fuqishme për qeverinë e Sirisë, të drejtuar nga Presidenti Ahmed al-Sharaa, ish-komandant rebel, që erdhi në pushtet pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Asad, pas një ofensive të shpejtë nga forcat rebele.
Vendi përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe sociale. Kombet e Bashkuara vlerësuan në vitin 2017 se do të duheshin të paktën 250 miliardë dollarë për rindërtimin e Sirisë pas viteve të luftës civile. Sot, disa ekspertë thonë se kjo shifër mund të arrijë të paktën në 400 miliardë dollarë.