Errët
Ndritshëm

Albin Kurti: I majtë për LGBT, i rrezikshëm për punëtorët

25.07.2025
Flamur Hoxha

Albin Kurti është një nga arsyet pse punëtorët në Kosovë po vdesin në vendet e tyre të punës. Ai që e rreh gjoks për vlera të majta, është i majtë vetëm kur bëhet fjalë për të drejtat e komunitetit LGBT. Kur vjen puna te të drejtat e punëtorëve nuk është as i majtë, as i djathtë. Është thjesht i rrezikshëm. PSE?

Para pak muajsh, nga toka po përshëndeste disa punëtorë në një kantier ndërtimi, në një prej kateve të larta ku ata punonin pa masa mbrojtëse. Majtistit nuk i bëri syri “vërrc” për telashet e punëtorëve. Eci ai. Rreziku mbeti. Ata punëtorë mbase janë gjallë. Por, nja dy të tjerë në Gjakovë nuk jetojnë më. Ranë nga lartësia e një punishteje. Kur kryeministri në detyrë u pyet në lidhje me këtë çështje, heshti dhe nuk dha as të paktën një fjalë ngushëllimi për dy familjet që humbën më të dashurit e tyre.

Kur kryeqeveritarin e ke të tillë, ndalesh, mendon dhe thua: pak punëtorë vdesin në vendin e punës në Kosovë. Fjali që tingëllon keq kur e dëgjon. Por ajo që kam për qëllim të sqaroj është se siguria që u ofrohet punëtorëve në vendin tonë është thuajse inekzistente. Ka një numër të madh faktorësh që na kanë sjellë në këtë situatë:

– Prapë Kurti. Ai, si kryeministër, pati emëruar ilegalisht kryeinspektor Hekuran Nikçin.

– (Mos)inspektimi i punishteve dhe vendeve ku zhvillohet puna, detyrë kjo e cila i përket Inspektoratit të Punës, organ ky i pavarur i Administratës Shtetërore, i cili është në kuadër të ministrisë së udhëhequr për mbi katër vite nga Hekuran Murati.

– Një tjetër fakt, kokëfortë, mbase baza e krejt kësaj që thashë, është ky: Inspektorati i Punës, që monitoron shkeljet e ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë, ka bërë vetë dy shkelje të tilla, bazuar në dy hulumtime të “Shënjestrës”. Objekti i Inspektoratit Qendror të Punës nuk ka shkallë emergjente, siç e kërkon ligji, dhe po ashtu bombolat për fikjen e zjarrit, të cilat duhet të kontrollohen çdo gjashtë muaj, nuk ishin kontrolluar me vite. Viktima të radhës, shkak i pasigurisë në punë, mund të jenë edhe vetë punëtorët e Inspektoratit Qendror të Punës. Nëse këta njerëz nuk e kanë gajlen për veten, paramendojeni sa mund ta kenë gajlen për punëtorët tjerë. Hajdeni për veten, bëjani si të doni. Megjithatë, assesi për punëtorët e shkretë.

– Tjetër shkak pse po vdesin kaq shumë punëtorë në vendin e punës është mungesa e vetëdijes për sigurinë, si nga punëdhënësit, ashtu edhe nga punëmarrësit.

Për fund:

Në Kosovë, më lirë është të dëmtohet një trup, sesa të blihet një helmetë. Ajo që po ndërtojmë nuk është shtet. Është varr masiv, me skele dhe beton.

Errët
Ndritshëm