Errët
Ndritshëm

Rodrigo De Paul në prag të transferimit te Inter Miami

23.07.2025
Depaul Mls

Mesfushori argjentinas, Rodrigo De Paul, është shumë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi ka arritur një marrëveshje verbale për t’u transferuar te skuadra amerikane, Inter Miami. Lajmin e ka konfirmuar gazetari i besueshëm i merkatos, Fabrizio Romano.

Të gjitha palët janë dakorduar për kalimin e 30-vjeçarit nga Atlético Madrid në MLS. Klubi spanjoll pritet të përfitojë rreth 15 milionë euro nga ky transferim, ndërsa De Paul pritet të firmosë një kontratë katërvjeçare me Inter Miami.

Finalizimi zyrtar i marrëveshjes pritet të ndodhë brenda pak ditësh, pasi të përmbyllen detajet administrative dhe testet mjekësore.

Rodrigo De Paul iu bashkua Atlético Madrid në korrik të vitit 2021, duke ardhur nga Udinese për një shumë prej 35 milionë eurosh. Gjatë periudhës me klubin madrilen, ai ka fituar një vend të rëndësishëm në mesin e trajnerit Diego Simeone, si dhe ka qenë pjesë kyçe e ekipit kombëtar të Argjentinës në sukseset e viteve të fundit.

Transferimi i tij në MLS shënon një tjetër lëvizje të rëndësishme për Inter Miamin, klub që vazhdon të ndërtojë një skuadër konkurruese me emra të mëdhenj nga futbolli evropian, në mesin e të cilëve edhe Lionel Messi.

Errët
Ndritshëm